Haga: Gaddafi planifikoi masakra masive

06/04/2011 15:15

Qeveria libiane parashikonte të shtypte protestat duke vrarë civilë në masë, kohë përpara se revoltat të nisnin, deklaroi sot Gjykata e Krimeve Ndërkombëtare në Hagë.

Kryeprokurori i kësaj gjykate, Luis Moreno Ocampo, informoi se zotëron prova, në të cilat flitet për strategjinë mizore që përpiloi Tripoli zyrtar, pas ndodhive që u verifikuan në Tunizi.

Besohet se shumë shpejt do të shpallet një mandat arrestimi ndërkombëtar ndaj kolonelit Gaddafi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkohë, NATO lajmëroi se do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbrojtur civilët, pas akuzave se nuk kanë qenë në gjendje të mbrojnë qytetin e Misratës, në të vetmen zonë në perëndimin e vendit e kontrolluar prej rebelëve.

”Misrata është përparësia jonë kryesore”, deklaroi zëdhënësi i NATO-s, Carmen Romero, për “Reuters”. “Mandati ynë është i qartë. Detyra jonë kryesorë është të mbrojmë jetën e të pafajshmëve dhe jemi të vendosur t’a realizojmë këtë me çdo kusht”.

Top Channel