Gjirokastër, shembet monumenti i kulturës

06/04/2011 16:40

Një ndërtesë e kategorisë së parë në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës është duke u rrëzuar cdo ditë.

Gjatë 5 viteve të fundit është shembur pothuajse gjysma e banesës dhe pjesa tjetër është në shembje e sipër.

Shtëpia, një monument i vërtetë arti urbanistik, degradoi gradualisht falë braktisjes prej pronarëve dhe harresës prej institucioneve.

Aktualisht aty jeton një familje në pritje për t’u strehuar prej 20 vjetësh. Banorët kërkojnë ndihmë pasi po jetojnë me frikë për jetën.

“Kur ka rënë shi ka rënë një faqe. Unë kam merak për vajzën. Muri ka marrë një krisje nga ana e rrugës dhe një tjetër nga ana e shtëpisë”, tregon Kujtim Simolla, banor i shtëpisë.

Godina gjendet shumë pranë njërës prej shkollave të mesme të qytetit, duke bërë që dhjetëra nxënës të kërcënohen ndërsa kalojnë në këtë rrugë.

Godina ndodhet në një prej rrugëve më të rëndësishme turistike të Gjirokastrës. Megjithëse kjo pamje po dëmton seriozisht imazhin turistik, duket se godina vazhdon të mbetet jashtë listës së restaurimeve.

Top Channel