Berisha: Fushatë në dietë

06/04/2011 11:45

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se për zgjedhjet lokale të 8 majit do të zhvillohet një fushatë në dietë. Me anë të një urdhëri të kreut të qeverisë do të ndalohet përdorimi i çdo lloj burimi të administratës shtetërore qëndrore e lokale në funksion të fushatës elektorale.

“Kjo do jetë fushatë në dietë. Kryeministri do të nxjerrë një urdhër në të cilin ndalon në mënyrë të prerë përdorimin e çdo lloj burimi të administratës shtetërore qëndrore e lokale në funksion të fushatës elektorale. Në fushatë nuk do të mundë të ketë asnjë targë zyrtare përveç të sigurisë dhe gardës. Nga kryeministri dhe çdo zyrtar tjetër, në veprimtaritë e fushtës do të marrë pjesë me shpenzimet e partisë”, është shprehur Berisha në mbledhjen e qeverisë.

“Fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit në të cilat siç kemi theksuar se ‘i pari do jetë qytetari’, do jetë një fushatë në dietë, pasi ky është edhe interesi i qytetarit”, theksoi ai.

“Ky vendim paraprihet nga një vendim tjetër i një rëndësie të jashtëzakonshme në të cilin ne nga mbi 3 mijë vetura i reduktuam në 34. Kështu që zotërinj ministra pjesëmarrja juaj në fushatë do të jetë vetëm me fondet e përcaktuara për partinë. Unë personalisht porosita të marrë me qera veturën time, por kjo ndodh për secilin nga ju”, shtoi Berisha.

Kryeministri theksoi se kuadri ligjor me të cilin do të shkohet në këto zgjedhje është shumë i përmirësuar.

“Ne kemi miratuar ligjin e financimit të partive dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne po nxjerrim këtë urdhër si një moment ndarjeje nga një praktikë e shkuar. Ai që kishte shumicën kishte edhe shumicën e mjeteve. SHPK-ja ka shumicën e mjeteve, por ne të ndjekim fushatën në dietë”, tha Berisha.

“Policia e shteti do marrë urdhër të bllokojë çdo mjet zyrtar të çdo zyrtari në fushatë. KLSH dhe të gjitha institucionet e kontrollit do ftohen të bëjnë kontrolle të rrepta mbi të gjitha fondet që të mos devijohen as nga pushteti qendror dhe as nga ai lokal drejt shpenzimeve abuzive. Parlamenti ka përcaktuar fondet për çdo parti dhe shkalla e mbledhjes nga donacionet private është e percaktuar me ligj”, theksoi ai.

Kryeministri theksoi se gjatë këtij muaji, administrata do të jetë në funksion të plotë dhe do respektohet orari zyrtar.

“Punonjësit me status civil duhet të respektojnë statusin e tyre, punonjësit e tjerë të administratës duhet të respektojnë orarin zyrtar të tyre. Qeveria do vazhdojë funksionimin e saj me mbledhje të rregullta, por të spostuara nga ky orar dhe darka do të jetë orari i përshtatshëm ku ne do ndjekim rendin tonë të punës. Agjencitë do të punojnë me intensitet të madh dhe nuk mund të ndërpresim reformat për një muaj sepse është shumë e kushtueshme për vendin”, deklaroi Berisha.

Top Channel