Basha në njësinë numër 10

06/04/2011 15:40

Kandidati për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka takuar banorë të njësisë bashkiake numër 10 për problemet kryesore me të cilat ata ndeshen.

Në këto takime, banorët kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi vendparkimet dhe taksat.

“Nëse kjo rrugë është arteria kryesore e Tiranës, është më e degraduara. Është hequr parkimi dhe janë vënë taksat”, është shprehur një sipërmarrëse.

“Taksat e reklamës janë shumë të larta. Paguajmë 1 milion e 200 mijë lekë vetëm për reklamat”, është ankuar një tjetër.

Basha gjatë bisedimeve me banorët pranë rrugës së Durrësit dhe Muslym Shyri është njohur edhe me problemet që lidhen me infrastrukturën rrugore.

“Pensionistët kanë nevojë për qetësi, dëfrim, por s’i kemi gjetur për shumë kohë”, i ka thënë Bashës një e moshuar.

Ndërsa një tjetër e ka falenderuar atë për mundësimin e heqjes së regjimit të vizave. “Kam një fëmijë në Strasburg dhe një në Belgjikë dhe tani falë jush i kam vizituar. Nuk di si t’jua shpërblej”, i ka thënë ajo.

Në këto takime kandidati për bashkinë e Tiranës ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe ka premtuar zgjidhjen e tyre.

Ndërkohë, PS ka reaguar ndaj takimit të bërë më herët mes Bashës dhe studentëve, duke i cilësuar si një farsë premtimet e tij.

“Kandidati i Saliut ua ka premtuar të rinjve kartën e studentit. Këtë e ka premtuar edhe babai i tij, saliu, por askush s’e ka marrë. Ne i themi Bashës dhe babait të tij, se ne nuk e hamë sapunin për djath”, ka deklaruar koordinatori i PS, Erjon Veliaj.

Top Channel