SHBA, “e tronditur” nga dhuna në Jemen

05/04/2011 08:55

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bënë një thirrje aleatit të tyre, presidentit jemenas, Abdullah Saleh, që të lejojë ndryshimet politike të ndodhin në vendin e tij, ndërsa e konsideroi dhunën e ndodhur dje si “tronditëse”.

15 persona gjetën vdekjen dhe mbi 30 të tjerë u plagosën, pasi policia qëlloi mbi protestuesit anti-qeveritarë në qytetet e Taizit dhe Hudaidës.

”Regjimi na ka befasuar me këto përmasa të vrasjeve. Nuk mendoj se ky qëndrim do të sjellë ndonjë qëndrim tjetër përveçse më shumë njerëz në rrugë që do të dalin me kraharorin e zhveshur, për të bërë që të gjithë plumbat e qeverisë të mbarojnë”, deklaroi lideri i opozitës, Mohammed Muqbil al-Hamiri.

Në Uashington, Departamenti Amerikan i Shtetit i konsideroi ngjarjet dhe dhunën e përhapur në Jemen si shokuese, ndërsa i bëri thirrje presidentit Saleh për reforma të menjëhershme.

Jemeni, vendi më i varfër në botën arabe, përballet prej disa javësh me protesta të dhunshme, që kanë sjellë vdekjen e disa qindrave. Njerëzit kërkojnë largimin e presidentit Saleh, i cili ka dështuar në përpjekjet për të sjellë pak përparim në vendin e tij në 32 vitet e udhëheqjes së shtetit.

Top Channel