Rebelët nisin tregtinë e naftës

05/04/2011 17:20

Ngarkesa e parë prej më shumë se tre javësh e naftës nga Libia është gati të niset nën mbikëqyrjen e rebelëve.

Grupet opozitare në vend kanë në plan të mbushin një anije-çisternë e cila do të hyjë në dok, në afërsi të Tobrukut.

Rreth 1 milion fuçi pritet të ngarkohet e të dërgohen mbase në drejtim të Katarit.

Eksportet e Libisë, prodhuesja e tretë më e madhe e naftës në Afrikë, shterruan që nga fillimi i revoltës kundër Gaddafit.

Deri atëherë, vendi eksportonte 1,6 milionë fuçi nafte në ditë, ndaj një ngarkese si kjo e fundit mbetet vetëm një fraksion i potencialit të tij real.

Megjithatë, nisja e saj ka një domethënie tjetër.

Ekspertët mendojnë se ky veprim duhet parë si shenjë të hapjes së Libisë ndaj tregtisë dhe transportit ndërkombëtar e mund t’u dërgojë një mesazh të qartë edhe zotëruesve të ngarkesave të tjera.

Kolapsi i eksporteve libjane ka ndikuar në rritjen e çmimit të arit të zi, që të hënën mbërriti nivelin më të lartë të gati tre viteve të fundit.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 2,36 dollarë, duke kapërcyer 121 dollarët për fuçi, që në thelb, do të thotë rikthim në nivelet përpara krizës ekonomike globale.

Por paralajmërimet e presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad janë edhe më të zymta se kjo shifër.

Sipas liderit të republikës islamike, kuotimi aktual i naftës duhet konsideruar i ulët në krahasim me atë çfarë do të vijë më pas.

Çmimi, siç thotë ai, do të mbërrijë brenda një kohe të shkurtër në 150 dollarë për fuçi.

Irani është eksportuesi i dytë më i madh brenda OPEC-ut me gati 4,2 milionë fuçi në ditë, por mbetet njëkohësisht edhe një prej vendeve më të varura nga eksporti i naftës në botë.

Top Channel