Mbyllet takimi BE-Shqipëri

05/04/2011 19:40

Në Bruksel ka përfunduar takimi i Komitetit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri. Palët kanë shprehur qendrimet respektive mbi ecurinë e vendit në lidhje me kriterin politik, atë ekonomik, zbatimin e MSA-së dhe standardeve europiane në fushen e konkurrencës, energjisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Një ditë më parë TCH publikoi qendrimin konfidencial të Komisionit për të gjitha temat e këtij takimi. Shqetësimet kyçe lidhen me mungesën e dialogut politik, ku kërkohet shmangia e toneve acaruese dhe me funksionimin e duhur të parlamentit, ku kërkohet mbikëqyrje reale mbi ekzekutivin dhe rishikim i rregullores me konsensus ndërpartiak.

Bashkimi Europian pret që vendi të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike, e më pas, forcat kryesore politike të punojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Elektoral, bazuar në rekomandimet e fundit të OSBE-ODIHR.

Përveç kërkesës së vazhdueshme për reformë dhe paanshmëri në sistemin gjyqësor, në veçanti për videon Meta-Prifti, për ngjarjet dhe viktimat e 21 janarit dhe shpërnguljen me dhunë të familjeve rome, BE kërkon gjetjen dhe ndëshkimin e fajtorëve si dhe mosndërhyrjen e politikës në punët e drejtësisë.

Qendrimi i BE-së nuk ndryshon për reformën në administratën publike, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, garantimit të të drejtave të njeriut si dhe për çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave etj.

Për median, BE pret dëshmi nga qeveria për luftën kundër presioneve të padrejta dhe shmangien e standardeve të dyfishta në këtë sektor.

Një ndër notat pozitive e cila vlen të theksohet është shqyrtimi në këtë takim i zbatimit të detyrimeve nga shqiptarët pas heqjes së regjimit të vizave, ku deri tani vërehet se qytetarët nuk kanë abuzuar.

Megjithëse e njohur në kohë me këtë qendrim të Komisionit, nuk dihet se cili ka qenë qendrimi i palës shqiptare, nga e cila zyrtarisht është njoftuar vetëm se nuk do të kishte konferencë për shtyp në përfundim të kësaj mbledhjeje.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel