Francë, Sarkozy hap debatin për islamin

05/04/2011 13:15

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, foli sot për hapjen e një debati kombëtar rreth islamit, një javë përpara se në Francë të hyjë një dekret që ndalon përdorimin e perçes në vendet publike, lajmëroi e përditshmja “Le Figaro”.

Debati është kritikuar nga shumë ekspertë politikë, të cilët besojnë se nëpërmjet një radikalizmi të politikës së partisë së Sarkozy, UMP-së, ai shpreson të fitojë përqindje nga elektorati i gjerë i Frontit Kombëtar, partisë së vendosur në ekstremin e djathtë.

Pamja islamike që kanë marrë shumë qytete franceze si pasojë e emigrantëve apo francezëve të shumtë me origjinë arabe ka qenë prej kohësh burim i debateve politike të Frontit Kombëtar të Marine Le Pen.

Në këtë debat do të bisedohet rreth 26 pikave që kanë shkaktuar polemika, ndërsa ligji delikat është mbrojtur nga Sarkozy, i cili ka theksuar se nuk ka asnjë rënie ndesh me ligjin e vitit 1905, i cili realizoi ndarjen e shtetit nga kisha.

Deri tani, 14 ministra të kabinetit kanë deklaruar pjesëmarrjen në këtë debat. Sarkozy deklaroi përpara disa ditësh se ndonëse vendi i tij është një prej sponsorve më të mëdhenj të demokracisë dhe luftës ndaj racizmit në botë, ata të huaj që dëshirojnë të jetojnë në Francë duhet t’i përshtaten kulturës së vendit që i pret.

Top Channel