B.Fildishtë, Gbagbo në duart e rebelëve?

05/04/2011 08:10

Luftimet në Bregun e Fildishtë mund të kenë marrë një kthesë përfundimtare, pasi BBC raportoi mëngjesin e sotëm se presidenti i paligjshëm, Laurent Gbagbo, mund të ketë rënë në duart e rebelëve.

Një zëdhënës i të besuarve të fituesit të zgjedhjeve, Alassane Ouattara-s, bëri të ditur se pas luftimesh të gjata dhe të përgjakshme, më në fund është arritur të kapet pallati presidencial.

Ai shtoi se Gbagbo mund të jetë midis atyre që janë kapur të gjallë brenda ndërtesës, por është ende herët për të konfirmuar diçka të tillë.

Krisma dhe gjëmime të forta vazhdojnë të dëgjohen në qytetin më të rëndësishëm të vendit, Abixhan, duke sugjeruar se luftime janë ende duke u zhvilluar.

Një ditë më parë, forcat franceze të OKB-së goditën me predha një kamp ushtarak të të besuarve të Gbagbo-s, duke e cilësuar këtë veprim si një parandalim për një sulm të pritshëm ndaj civilëve.

Pavarësisht ndërhyrjes, “paqeruajtësit” e OKB-së theksuan se nuk kanë marrë asnjë krah në luftime, por theksuan se janë të gatshëm të ushtrojnë edhe me forcë mandatin e tyre për mbrojtjen e civilëve.

Top Channel