B.Fildishtë, dorëzohen forcat e Gbagbo-s

05/04/2011 14:25

Konflikti në Bregun e Fildishtë duket se do të përfundojë sot, ndërsa ushtria e presidentit të jashtëligjshëm, Laurent Gbagbo, lajmëroi për pushimin e të gjithë veprimeve luftarake.

Siç raporton “Agence France Press”, kryekomandanti i forcave qeveritare, gjenerali Philipe Mangou, bëri të ditur dorëzimin, ndërsa i kërkoi OKB-së që të ndërpresë goditjen ndaj trupave të tij.

Ndërkohë, një i dërguar special i OKB-së në vendin e Afrikës Perëndimore, Choi Young-jin, konformoi se “Gbagbo është tërhequr në bunkerin e fortifikuar të pallatit presidencial, i braktisur nga këshilltarët dhe qeveritarët. Ai mbrohet prej vetëm një grushti trupash të zgjedhura”.

Young-jin konfirmoi se ekipi i OKB-së në Abixhan është duke biseduar për një zgjidhje politike dhe se një kontakt i drejtëpërdrejtë po mbahet me Gbagbo-n.

Në informacionin e transmetuar nga AFP, mësohet se edhe Ministri i Jashtëm i Bregut të Fildishtë ka braktisur presidentin e paligjshëm, duke u strehuar në ambasadën franceze.

Situata në Bregun e Fildishtë ka qenë dramatike që prej nëntorit, kur Gbagbo refuzoi të lejonte Ouattara-n të merrte pushtetin, pavarësisht se ky i fundit fitoi në zgjedhjet presidenciale.

Top Channel