Bonot, BSH refuzon Konkurrencën

04/04/2011 08:00

Debati mbi procedurën e shitjes së bonove të qeverisë, nëse është transparent dhe nëse ka kosto, zuri peshë të konsiderueshme në opinionin publik, në dy vitet e fundit, kur Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim të gjerë.

Sipas gazetës “Shqip”, Rezultatet e këtij raporti nxorën në dritë mungesën e transparencës që bankat tregonin ndaj individëve, pjesëmarrës në ankand dhe kostot shtesë që paguanin për transaksionet që kryenin.

Prej kohësh po hidhet teza e një liberalizimi sa më të plotë të tregut të letrave me vlerë të qeverisë, pra të një pjesëmarrje më të gjerë të individëve, në mënyrë që borxhi i brendshëm të ketë një kosto më të ulët.

Për t’u dhënë zgjidhje disa problemeve me bonot, Autoriteti i Konkurrencës paraqiti disa propozime, ku rolin kryesor për marrjen në konsideratë të tyre e ka Banka e Shqipërisë. Një ndër rekomandimet më të rëndësishme, pas hetimit të kryer për gati dy vjet ishte: “Banka e Shqipërisë duhet të rikthejë depozitimin ‘cash’ në sportelet e saj në Tiranë dhe në 5 rrethet kryesore ku ajo ka degë për pjesëmarrjen në ankandet e tregut primar të bonove të thesarit si një mënyrë efikase për eliminimin e kostos së transaksionit të shumave të investuara për bono thesari nga bankat e nivelit të dytë drejt Bankës Qendrore”.

Rreth një vit nga ky rekomandim, Autoriteti i Konkurrencës deklaron se Banka e Shqipërisë nuk e ka marrë në konsideratë propozimin, duke lejuar që individët të paguajnë kosto ekstra për bonot e qeverisë. “Depozitimi i parave për pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit vijon të bëhet vetëm pranë bankave të nivelit të dytë”, thekson Autoriteti në raportin vjetor për vitin 2010, që pritet të diskutohet sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Në mënyrë që të rritet pjesëmarrja e subjekteve dhe individëve në ankandet e qeverisë për bonot e thesarit, Autoriteti i Konkurrencës i kishte kërkuar Bankës së Shqipërisë të zhvillonte marketing ndërkombëtar, por edhe këtu duket se propozimi nuk ka vlejtur. Autoriteti thotë se nga BSH-ja nuk ka informacion nëse e ka realizuar rekomandimin e dhënë, ndërsa sa u takon broshurave që duhet të publikonte, mësohet se banka ka kryer vetën një fletëpalosje informuese.

Duket se raportet mes këtyre dy institucioneve të rëndësishme për ekonominë e vendit nuk janë në nivelin e duhur. Kujtojmë një muaj më parë përplasjen e radhës mes Autoritetit dhe BSH-së për nivelin e tarifave që aplikojnë bankat dhe mungesën e transparencës për shërbimet.

Guvernatori nuk i pranoi si të vërteta konkluzionet e hetimit, me argumentin se në treg ofrojnë shërbimin 15 banka dhe se konkurrenca mes tyre ka afruar avantazhe të shumta për individin dhe biznesin. Në fakt, të dhënat e raportit të Konkurrencës rezultuan të vërteta, të paktën për nivelin e tarifave, pasi vetë banka reagoi dy javë më pas, duke miratuar rritjen e kufirit për transaksionet mes bankave.

Top Channel