AK: Bonot pa komisione

04/04/2011 16:30

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati tha në komisionin e ekonomsië se rekomandimi i këtij institucioni që për t’i dhënë mundësi qytetarëve të merrnin pjesë në ankadet e bonove të thesarit pa paguar komisione tek bankat private, nuk është zbatuar.

“Ka rekomandime që fillojnë e shfaqen me kalimin e viteve, por jo të gjitha janë marrë në konsideratë. Hapja e sporteleve nga Banka e Shqipërisë, ata kanë raportin e tyre”, deklaroi Lati.

Zonja Lati tha gjatë prezantimit të raportit për vitin 2010, se për të shtrënguar institucionet publike të zbatojnë rekomandimet e konkurrencës do të propozojë një zgjidhje.

“Është ndërtimi i ligjit vjetor të konkurrencës, që në fund të vitit ne të bëjmë të gjitha rekomandimet, që të dalin në formën e një ligji, për të mos pritur ndryshime në cdo ligj specifik që kërkon vite”, theksoi Lati.

Autoriteti tha se ka në proces hetimi disa tregje që dyshohen për monopole dhe abuzime, ku më kryesori mbetet ai i ushqimeve.

“Tregu ushqimor i orizit, sheqerit e vajit vegjetal janë nën hetim paraprak. Autoriteti i Konkurrencës ka parë jo vetëm strukturën, por do kalojë nën analizë të gjithë faktorët që ndikojnë”, shtoi Lati.

Vitin e kaluar Parlamenti miratoi një ligj që i kthen në tituj ekzekutiv gjobat e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës dhe zonja Lati tha se së fundmi janë arkëtuar dhe gjobat e para që ishin vënë para disa vitesh.

Top Channel