Tjetër incident në prag të fushatës

03/04/2011 15:00

Një tjetër incident ka tensionuar sërish pragfushatën për zgjedhjet e 8 majit. Zef Doçi, një kandidat i koalicionit  “Aleanca e Qytetarit’’ në Komunën e Balldrenit është plagosur të shtunën në mbrëmje me armë zjarri, ndërkohë që pak më vonë është arrestuar edhe autori. (UPDATE)

Ngjarja në fjalë ndodhi shumë pranë shtëpisë së tij në fshatin Balldren të Lezhës. Doçi po udhëtonte me makinën e tij dhe sipas deklaratës së dhënë në spitalin e Lezhës për uniformat blu, ai është ndjekur nga dy makina të tjera, njëra para dhe tjetra pas. Në një momet ai është qëlluar, por fatmirësisht plumbi e ka prekur në këmbë dhe nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Policia e Lezhës ka shkuar mënjëherë në vendin e ngjarjes dhe pas disa ore hetimesh ka vënë në pranga autorin, Almarin Marinaj. Ky i fundit është përfaqësues i Partisë Demokratike në komisionin e qendrave të votimit në Komunën Balldren dhe sipas burimeve policore bëhet fjalë për një konflikt banal për përfaqësimin në komision brenda vetë strukturave të së djathtës.

Kandidati Doçi garon në zgjedhjet lokale nën siglën e Lidhjes Demokristiane dhe mbështet edhe nga partitë e djathta.

Kjo është ngjarja e dytë e kësaj natyre brenda 48 orëve të fundit pasi gjatë natës së të premtes një tjetër incident me armë ka përfshire edhe kandidatin për komunën e Dajtit Besim Kuka, edhe ky përfaqësues i koalicionit të djathtë.

Top Channel