PS hap fushatën në Durrës

02/04/2011 19:20

Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 8 majit në qytetin e Durrësit. Kryetari i PS-së, Edi Rama ka theksuar se PS-ja dhe “Aleanca për të ardhmen” është e vetmja rrugë që shqiptarët të shkëputen nga regjimi vrasës dhe i kusarisë.

Ai theksoi se Vangjush Dako është një kandidat i provuar dhe votën e ka justifikuar me punën e tij gjatë katër viteve në krye të Bashkisë së Durrësit.

“Sot e vetmja rrugë për Durrësin është Vangjush Dako, PS dhe ‘Aleanca për të ardhmen’. Vangjush Dako është kryetari i provuar i Bashkisë së Durrësit i cili e meriton votën e çdo durrsaku dhe durrsakeje për ato që ka bërë dhe ato që do të bëjë akoma më shumë, për katër vitet e ardhshme për qytetin dhe njerëzit pa asnjë dallim. Puna e tegon vetë se Vangjushi i ka dalë përballë votave të dhëna 4 vjet më parë”, është shprehur Rama.

“E vetmja rrugë për të qenë të lirë të mendoni dhe shprehni atë që mendoni, është rruga jonë. E vetmja rrugë për të gjetur një punë, për t’u çliruar nga një pushtet i korruptuar që flet për ju dhe mendon për vete, është rruga jonë”, theksoi Rama.

“Ne i kontestojmë me forcë zgjedhjet e Saliut sepse e dimë se vetëm zgjedhjet, sipas standardeve evropiane janë kufiri i kapërcimit të shoqërisë shqiptare drejt zbatimit të ligjit. Refuzimi i transparencës ka folur po aq qartë sa vetë transparenca. Fabrikimi i një pushteti me vota të vjedhura sjell vetëm rënie, papunësi dhe varfëri për shqiptarët”, shtoi ai.

Në fjalën e tij kandidati për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako ka theksuar se gjatë punës së tij ai është përballur me një pushtet që e ka penguar të vijojë punën e vetë.

“Hap pas hapi na është dashur të përballemi me një qeveri që na ka penguar në mënyrë të pamoralshme. Jemi përballur me një pushtet që ka dashur të sabotojë punën tonë dhe të pengojë zhvillimin e Durrësit. Pushteti i Saliut dhe Ferdinandit që nuk njeh Ismail Qemalin na ka penguar. E vetmja rrugë për të vazhduar zhvillimin e Durrësit është PS”, theksoi Dako.

Top Channel