Ngushëllime për humbjen e Baba Reshat Bardhit

02/04/2011 17:20

Drejtuesit e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e liderit të kryegjyshatës botërore të bektashinjve Baba Dede Reshat Bardhi. (UPDATE)

Në një mesazh ngushëllimi, klerikët ortodoksë shprehin dhimbjen e tyre për këtë humbje të madhe.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka shprehur keqardhjen e tij në lidhje me ndarjen nga jetë të kryegjyshit botëror të bektashinjve.

Në një mesazh të bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit ka theksuar se “shembulli i këtij njeriu me vlera të jashtëzakonshme humane e shpirtërore, i këtij udhëheqësi fetar të përkushtuar, i cili ka dhënë kontributin e vet të çmueshëm e të pakursyer jo vetëm për fenë e bektashizmit, por edhe për rivendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, na detyron të gjithëve të përulemi me nderim e respekt para jetës dhe veprës së tij”.

“Haxhi Dede Reshat Bardhi i përket atij brezi të paharrueshëm atdhetarësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës komuniste nëpërmjet forcës së shpirtit, besimit për të Plotfuqishmin dhe dashurisë për shqiptarizmën. Ai ishte jo vetëm një njeri i rrallë, një udhëheqës fetar altruist dhe frymëzues, por edhe një shqiptar i vërtetë, i cili e kaloi gjithë jetën dhe u shua duke luftuar e duke u përpjekur për idealet më sublime të besimit, lirisë, demokracisë dhe përparimit”, thuhet në mesazhin e presidentit të Republikës.

Kryeministri Sali Berisha, ka theksuar se “ndjehet i pikëlluar thellë, së bashku me të gjithë shqiptarët, me ndarjen nga jeta të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit shqiptar dhe botëror”.

“Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur tek Kryegjyshi i bektashizmit një simbol të madh të mirësisë, paqes, mirëkuptimit dhe përkushtimit ndaj vlerave njerëzore e hyjnore.  Pas shembjes së diktaturës komuniste, Baba Reshat Bardhi rindërtoi me shpejtësi vlerat e rrënuara nga regjimi barbar të bektashizmit shqiptar. Ai vdiq sot duke lënë mbrapa veprën e tij të frymëzimit për mirëkuptim, paqe, tolerancë e harmoni. Me këtë rast, Kryeministri Berisha i shpreh Kryegjyshatës së vendit, të gjithë bektashinjve shqiptarë ngushëllimet më të sinqerta dhe lutet sëbashku me ta që shpirti i ngritur i tij të gjejë paqen e amshuar”, theksoi Berisha.

Ndërkohë kryetari i PS-së, Edi Rama e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit si një “humbje tragjike e një njeriu me vlera e kontribute të jashtëzakonshme për rimëkëmbjen e fesë dhe për promovimin e vendosur të tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar në Shqipëri”.

“Baba Reshati ishte një nga ata shqiptarë që nuk lejuan që vuajtjet dhe shtypja e regjimit të kaluar t’ia zbehte besimin tek Zoti dhe dashurinë për atdheun; një nga ata njerëz  që vuajtja dhe shtypja e atij regjimi nuk ia zbehën tolerancën dhe përkushtimin ndaj njerëzve. Prandaj në këto momente të hidhura për mbarë shqiptarët ne përulemi përpara këtij njeriu të madh që ia dedikoi të gjithë fuqitë e tija promovimit të idealeve shpirtërore dhe të harmonisë fetare ndër shqiptarët”, theksohet në faqen zyrtare të PS-së.

Ndërsa kryetarja Kuvendit, Jozefina Topalli shprehet se “dëshiroj të ndaj dhimbjen me ju duke rikujtuar simbolet e besimit bektashian”.

“Unë ndihem pranë jush – shprehet Topalli – duke u lutur që toka ku do të prehet trupi i Baba Dede Reshat Bardhit qoftë e lehtë dhe shpriti t’i prehet në paqe”.

Një mesazh ngushëllimi për humbjen e klerikut të njohur ka ardhur edhe nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, i cili është shprehur se “kontributi i tij për nxitjen e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri e vende të tjera të botës dhe në komunitetin bektashi do të jetë, padyshim, një nga trashëgimitë e tij më jetëgjata”.

Top Channel