Kujtohen dëshmorët e 2 prillit

02/04/2011 13:45

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, së bashku me qytetarët shkodranë kanë përkujtuar dëshmorët e 2 prillit të vrarë në Shkodër 20 vjet më parë kur vendi po përjetonte ndryshimet e mëdha demokratike. (UPDATE)

Pas vendosjes së kurorave me lule në memorialin e 2 prillit në Shkodër, kryeministri Berisha u bëri homazh katër të rinjve antikomunistë, Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku e Nazmi Kryeziu, duke vlerësuar sakrificën e tyre për të shndërruar Shqipërinë në një vend demokratik, e cila është sot anëtare e NATO-s, ku qytetarët e saj lëvizin të lirë pa viza në Europë dhe që sipas kryeministrit respektohet vota e lirë e shqiptarëve.

Ky takim në 20 vjetorin e vrasjes së 4 dëshmorëve të demokracisë në Shkodër ishte një rast që si kryeministri Berisha, edhe kryetaja e Kuvendit Jozefina Topalli, të përqendroheshin tek zgjedhjet e 8 majit dhe alternativa e tyre për qytetarët.

“Ju garantoj se çdo gjë, në këtë fushatë, në këtë qeveri do të jetë vetëm për ju. Ne së bashku do të hartojmë projektet për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë, sikundër ne e kemi provuar se ne mbajmë premtimet tona”, është shprehur Bërisha.

“Askujt nuk ia merrte mendja që sot pas 20 vjetësh PS do të bënte aleancë me Partinë e Punës. Ky qytet ka votuar gjithmonë kundër Partisë së Punës, kundër kulturës së dhunës dhe në 8 maj ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohen me alternativën tonë për qytetarin”, theksoi Topalli.

Top Channel