PS: Berisha blen mediat me paratë e krimit

28/03/2011 14:15

Opozita ka denoncuar sot përpjekjet, sipas saj, të qeverisë për të blerë me paratë e kontrabandës mediat që kanë rezistuar deri tani të lira, e për të nënshtruar duke shkatërruar e asgjesuar nga godinat e deri në themel, ato media që nuk blihen kurrë me para.

“Makineria e parave të pista të korrupsionit e kontrabandës së Saliut dhe Lulit, është ndezur si kurrë më parë për të vënë diktatin duke i blerë me para të pista ato media që po rezostojnë të lira, e për të nënshtruar duke shkatërruar e asgjesuar nga godinat e deri në themel, ato media që me para nuk i blen dot kurrë”, ka deklaruar deputeti Sajmir Tahiri.

Sipas tij, këto veprime i shërbejnë qeverisë për të bërë “makiazhin” elektoral ndaj kandidatit të saj për Tiranën dhe e kthejnë vendin në një republikë “mafioze”, ku paratë e pista përdoren për të prishur zgjedhjet.

Më tej Tahiri i është referuar edhe rastit të televizionit Neës 24, i cili sipas tij po tentohet të blihet me cfarëdolloj cmimi nga njerëzit e qeverisë.

“Rasti më i fundit për të cilin jemi vënë në dijeni dhe njëkohësisht rasti më flagrant, është rasti i televizionit Neës 24. Prej disa kohësh njerëz të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin po përpiqen të blejnë këtë televizion me çdo çmim, duke përdorur paratë e pista të korrupsionit për të cilin Saliu vrau qytetarë të pafajshëm në bulevard, si dhe paratë e pista të kontrabandës së armëve me të cilat diktatorë anembanë botës vrasin qytetarë që protestojnë për liri e demokraci”, ka pohuar Tahiri. 

Top Channel