KQZ, mbërrijnë listat e 15 partive

28/03/2011 18:55

Sot është afati i fundit ligjor për regjistrimin e kandidatëve për këshilltarë dhe kandidatëve për kryetarë bashkish apo komunash.

Deri në orën 17.30 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kishin mbërritur listat shumëemërore të 15 partive, por jo të partive të mëdha.

Teorikisht, nëse partitë e mëdha nuk regjistrojnë kandidatët e tyre deri në orën 24.00 të ditës së sotme, ato nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje.

E njëjta gjë për kandidaturat e Edi Ramës apo Lulzim Bashës për bashkinë e Tiranës. E megjithatë, zyra e protokollit të KQZ do të qëndrojë e hapur deri në mesnatë.

Ndërkaq, pasdite, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi ngritjen e bordit të medias, që do të mbikqyrë kohën televizive në mediat elektronike gjatë fushatës elektorale.

Sipas ligjit, bordi përbëhet nga shtatë anëtarë, të propozuar secili prej cdo anëtari të KQZ-së. Por në mungesë të 3 anëtarëve të propozuar nga opozita, KQZ miratoi vetëm katër emra, të mjaftueshëm megjithatë për ta konstituuar bordin.

Ata janë Basir Collaku, ish-drejtor i TV Scan, aktualisht zëdhënës i Ministrisë së Arsimit, Rexhep Polisi dhe Klarita Bajraktari, gazetarë në të përditshmen “Rilindja Demokratike” dhe Artur Bego, zv/kryeredaktor i gazetës “55”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fiksoi për të premten në orën 10.00 mbledhjen e parë të Bordit të monitorimit të medias, që do të mbahet pranë ambjenteve të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit.

Ndërkohë që të martën, në orën 10.00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mirëtojë anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve të propozuar nga Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për Drejtat e Njeriut.

Top Channel