Amnistia, çfarë paguan që të falesh

25/03/2011 08:00

Amnistia fiskale e hartuar nga Ministria e Financave nuk paraqet tërësisht propozimet e biznesit dhe nga ana tjetër, vendos kushte të forta në favor të faljes.

Drafti i Financave disponohet nga gazeta “Shqip” dhe vetëm dje pasdite u është shpërndarë bizneseve për të dhënë mendimet përkatëse, deri në miratimin final.

Kryeministri Berisha, dy ditë më parë, në mbledhje të qeverisë deklaroi se po miratonte projektligjin, por në fakt në tryezën e tij ishte një letër me disa pika, pasi varianti final nuk ishte bërë gati ende. Drafti po diskutohet nga ekspertët dhe grupet e interesit dhe se miratimi final kërkon ende kohë.

Po çfarë përmban në të vërtetë drafti i qeverisë për amnistinë fiskale?

Falja e detyrimeve tatimore bashkë me gjobat nuk kalon pa derdhur më parë në arkën e shtetit disa “penalitete”, në forme FI-je. Ajo që në fillim u duk si një amnisti për biznesin, në të vërtetë më të përfituarit duket se do të jenë individët e thjeshtë, të cilët nuk ishin parashikuar të ishin pjesë e projektit, por u propozuan nga vetë shoqatat që të shtohej edhe kjo kategori.

Një ndër kushtet më forta të amnistisë është mostransferimi i kapitalit të legalizuar jashtë Shqipërisë, të paktën për tre vjet, në të kundërtën biznesi duhet të paguajë disa detyrime ekstra, që nisin me 13 për qind të vlerës së “pastruar” për vitin e parë, deri në 3 për qind në vitin e tretë. Pas kësaj, çdokush mund t’i transferojë kapitalet e amnistuara jashtë vendit.

Top Channel