Prishja e kopshtit botanik, çfarë humbim?

24/03/2011 19:00

Debati për prishjen e një pjese të kopshtit botanik ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetarëve të Tiranës kohët e fundit.

Një arterie e re e unazës së qytetit duhet të prishte një sipërfaqe të madhe të kopshtit dhe edhe pas ripunimit të projektit, një pjesë e kësaj sipërfaqe përsëri do të asfaltohet.

Emisioni i pasdites në Top Channel nuk solli dëshminë e njerëzve të zakonshëm, por të atyre që e kanë lidhur jetën e tyre ngushtësisht me këtë kopësht, me punonjësit dhe vetë njerëzit që e frekuentojnë vazhdimisht.

Medihaja, një prej kopshtareve më të vjetra, siguron se prej dekadash i kushton më shumë vëmendjes luleve, se sa vetes dhe familjes.

”Që prej 40-vjetësh vij çdo ditë në kopshtin më të madh që është edhe pasuria më e madhe e luleve dhe e bimëve në Shqipëri”, thotë ajo, ndërsa tregon një pemë sekuoje, e importuar nga jashtë. ”Këto bimë janë gjithë jeta”.

Dita për të nis me një shikim të shpejtë të luleve në serë që kanë nevojë për një trajtim më të veçantë se sa të tjerat. Një gjethe e hequr gabimisht dhe pa kujdes mund të shkaktojë vyshkjen e saj në kulmin e sezonit.

”Lulet duhen ujitur çdo ditë, por duke mos tejkaluar masen sepse ka lule qe duan shumë ujë dhe ka lule që prishen nga uji i tepërt.

Jo të gjitha vaditen, ujiten sipas llojit e kohës, në dimër më pak, verë më shumë ujë”, shton kopshtarja, mes kaktuseve 40-vjeçare dhe mostera deliciozës, e njohur për publikun si Lulja e Shqiponjës.

Ka nga ata qytetarë që ia dinë vlerat një ambienti të tillë dhe nuk ngurojnë për një shëtitje, një foto apo edhe një kundrim i luleve shumëngjyrëshe në ajrin e pastër, larg zhurmave dhe ajrit të ndotur të kryeqytetit.

Të intervisuar nga mikrofonat e Top Channel, ata u shprehën njëzëri se ambienti i mrekullueshëm i shtyn të vijnë në masë në këtë kopsht. Të tjerë e shohin si vendin ideal për të argëtuar nipërat e mbesat apo si një prej këndeve të vetmuara të Tiranës ku mund të thithësh ende pak ajër të pastër.

Kopshti botanik, përveç një hapësire të gjelbëruar, mbart dhe trashëgon çdo ditë një pasuri të admirueshme bimore për një vend të vogël si Shqipëria.

”Ka disa lloje lulesh e bimësh të cilat rriten dhe gjenden vetëm në vendin tonë”, thekson Medihaja. ”Ne vazhdimisht i dërgojmë këto bimë institucioneve të ngjashme në botë, ndërsa ata na dërgojnë lule të tjera që fauna shqiptare nuk i ka”.

Duke shoqëruar kamerën në një vizitë në çdo parcelë të kopshtit, znj. Mediha shprehet se mes luleve ndiehet si në shtëpi. Por, duket se debatet e kohëve të fundit për prishjen e një pjese të kopshtit botanik e kanë prekur dhe e kanë shqetësuar.

”Prishja e një pjese të kopshtit do na detyrojë që bimët të zhvendosen në një hapësirë tjetër sepse janë pjesë shumë e rëndësishme e vendit tonë.

Kur dëgjoj këto debate, mua më dhembin si i dhemb një njeriu kur i heqin një pjesë të trupit. Megjithatë, ngushëllohemi me faktin që do të prishet një pjesë më e vogël sesa ishte përcaktuar në fillim”.

Top Channel