Topi: Bllokimi i Tiranës, politik

23/03/2011 11:15

Në një takim për pushtetin lokal, presidenti i Republikës Bamir Topi, e cilësoi bllokimin e disa këshillave bashkiake si aksion politik. Më konkretisht ai u ndal në Tiranë.

“Rastin ekstrem e keni në Tiranë. Kur ka një projekt të miratuar qysh në vitin 1989 dhe vjen viti 2011, ende polemizohet edhe politikisht për një çështje që ka të bëjë thjesht me një element infrastrukturor, sikurse është Unaza e Madhe e Tiranës, ku do kalojnë të majtë, do kalojnë të djathtë, do kalojnë të qendrës, do kalojnë politikanë, do kalojnë ata që s’kanë ndërmend të merren me politikë”, deklaroi Topi, i cili kërkoi që zgjedhjet lokale të mos shihen vetëm si sfidë politike.

“Do të doja të bëja një apel që lidhet pikërisht me zgjedhjet e datës 8 maj. Unë mendoj që është momenti më i rëndësishëm që këto zgjedhje të zhvillohen në qetësi të plotë mbas një situate të tensionuar politike. Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ta vlerësojmë datën 8 maj! Ta vlerësojmë e të marrim pjesë, të mos ta shikojmë me indiferencë”, u shpreh Topi.

Sipas presidentit, një fushatë profesionale do të nxjerrë në pah kandidatët jo si instrumenta politikë, por si interpretë të denjë të interesave të qytetarëve.

Top Channel