KQZ, Ristani para deputetëve

23/03/2011 13:25

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani kaloi më shumë se dy orë në komisioni e ligjeve, ku ishte thirrur të raportonte për punën e KQZ-së për vitin 2010.

Por raporti vjetor trajtonte edhe disa cështje të dala këtë vit, fakt për të cilin zoti Ristani u shpreh:

“Nuk ka asgjë të qëllimshme në këtë histori. Në kuadër të publikimit të veprimtarisë mund të kemi bërë edhe nodnjë gjë më tepër”.

Cështja është se një pjesë e mirë e pyetjeve, nga opozita dhe nga mazhoranca, kishin të bënin pikërisht me vendimmarrjen e KQZ për këtë vit.

Në kushtet e mungesës së anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga opozita, kjo ka ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e shumë akteve të KQZ. Damian Gjiknuri i kujtoi kryetarit Ristani argumentat e nënkryetares së KQZ, Dëshira Subashi.

“Ajo pretendon se në mënyrë sistematike i është mohuar e drejta për bashkëkryesim”, deklaroi Gjiknuri. “Kur kemi pasur kontradikta dhe ka munguar nënkryetarja është mbledhur komisioni. Nuk ka asnjë kompetencë kryetari apo nënkryetarja që s’e ka komisioni”, sqaroi Ristani.

Në fakt, kryetari i komisionit Ilir Rusmali nuk lejoi pyetje të cilat, sic tha ai, nuk i përmbaheshin rendit të ditës, pra diskutimit për raportin e vitit 2010.

Ndaj kryetari i KQZ-së, në përfundim të mbledhjes dha këtë prononcim për mediat: “Materialet e zgjedhjeve të kaluara janë përpunuar në ambjentet e magazinave dhe në ambjentet e KQZ dhe po dërgohen në arkivën e shtetit. KQZ ka fotokopiuar një pjesë të dokumentacionit që ligji kërkon që ato të shkojnë në arkivë, por jo materialet që ndodheshin në kuti”, tha Ristani.

Top Channel