Tiranë, arrestohen bashkiakët

22/03/2011 12:25

Dy inspektorë të Inspektoriatit Ndërtimor të bashkisë së Tiranës, një polic bashkiak dhe një sekser janë arrestuar gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të hënës gjatë një operacioni të koduar me emrin “një kat më lartë”, nga task forca në prokurorinë e kryeqytetit, si dhe drejtoria e policisë së qarkut Tiranë.

Sipas policisë, të tre punonjësit e bashkisë kishin më shumë se dy muaj në përgjim nga prokuroria, pasi në adresë të tyre ka patur ankesa nga qytetarët për kërkesa rryshfeti për ndërtime të paligjshme.

“Nga veprimet hetimore të deritanishme rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kërkonin dhe merrnin shuma të ndryshme parash, që variojnë nga 300 mijë deri 350 mijë lekë, për të lejuar në mënyrë antiligjore persona të ndryshëm që të kryenin ndërtime të paligjshme në Tiranë. Ndaj shtetasve Adem Cemurati, Agostin Lekgegaj dhe Ylli Bala u mor masa e arrestit në flagrancë për kryerjen e veprës penale të ‘korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike’”, ka deklaruar zëdhënësja e policisë, Alma Kataragjini.

Të tre punonjësit e bashkisë së Tiranës do të hetohen për një veprimtari të gjerë korruptive, duke favorizuar ndërtimet e paligjshme në kryeqytet, kryesisht shtesat e kateve në pallate. Atyre u është shtuar përvec akuzes për korrupsion edhe akuza e “shpërdorimit të detyrës”.

Top Channel