Sulme të reja mbi Libi

22/03/2011 01:40

Tripoli, kryeqyteti i Libisë, është vënë në shënjestër të një tjetër sulmi të forcave të koalicionit. Ndërhyrja ushtarake nisi në orën 20:05 të së hënës.

Korespondenti i CNN raportoi se dëgjoheshin sirena nga zona ku ndodhet kompleksi i kolonel Gedafit. Degjohet goditja e kundër-ajrorëve, cka sipas korespondentit të CNN tregon se zona e ndalim-fluturimit nuk është arritur ushtarakisht.

Agjencia Reuters citon dëshmitarë që thonë se shpërthime dhe goditje kundër-ajrorës dëgjohen në Tripoli. Televizioni shtetëror libian raporton se disa zona të Tripolit janë sulmuar nga “kryqezata armike”.

Zëdhënësi i qeverisë, Musa Ibrahim tha se shumë persona kanë humbur jetën pas bombardimit të disa porteve dhe aeroportit në Sirtem vendlindja e kolonelit, Muamar Gedafi. Sibas tij është goditur edhe qyteti jugor i Sebas, ndërsa Misurata, sic tha ai, u clirua nga kryengritësit.

Një gazetar i BBC në Bengazi, tha se fortesa e kryengritësve është sulmuar nga tanket e Gedafit që ndodhen jashtë qytetit. Armëpushimi nuk po respektohet, thotë gazetari BBC, dhe në terren lufta vazhdon.

SHBA kërkojnë largimin e Gedafit, tha presidenti amerikan, Barak Obama që ndodhet në Santiago të Kilit. Gjatë një konference për shtyp ai shpjegoi edhe rolin e SHBA-ve në operacionin ushtarak.

“Do të kërkojmë një tranzicion të shpejtë por të përgjegjshëm të misionit tek koalicioni apo organizatat ndërkombëtare të cilat janë në gjendje të ndjekin operacionin duke iu përgjigjur respektimit të rezolutës 1973 të KS”, tha Obama duke shtuar se NATO do të ketë një rol koordinues, por deri më tani ka dallime brenda Aleancës. Franca dhe Turqia për rolin e saj.

Pas takimit në Bruksel NATO duket se nuk ka zgjidhur dallimet për mënyrën se si do të procedohet. Që operacioni të drejtohet prej saj, duhet marrëveshje e 28 vendeve anëtare.

Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe tha se vendet arabe nuk do të donin një operacion nën kontrollin e plotë të NATO-s, por shpreson që Aleanca të bjerë dakort për një rol mbështetës në ditët e ardhshme.

Italia deklaroi se do të tërheqë ofertën për baza ushtarake nëse NATO nuk merr drejtimin e operacionit.

Forcat aleate shpjeguan edhe njëherë se shënjestra e operacionit të djeshëm ku u godit kompleksi i Gedafit nuk ishte koloneli. Gazetarëve atje iu treguan gërmadhat e ndërtesës pas bombardimit, por ku nuk u shënuan viktima.
 
Shefi i Forcave të Mbrojtjes, Sir David Richards shpjegoi se sulmi kundër udhëheqësit libian është i ndaluar sipas rezolutës së Kombeve të Bashkuara e cila bën thirrje për mbrojtjen e civilëve.

Ndërkohë, Ministria e franceze e mbrojtjes, nënvizoi se edhe sikur vendndodhja e Gedafit të dihet, ai nuk do të qëllohet.

Të hënën janë regjistruar 70-80 mësymje. Gjenerali i Komandës Amerikane në Afrikë, tha se së shpejti zona e ndalim-fluturimit mbi Libi do të zgjerohet në një hapësirë prej 1 mijë kilometrash.

Ndërkohë, zëdhënësi i Këshillit Kombëtar, organi qeverisës i rebelëve në Bengazi, i tha SkyNews se janë të paktën 8 mijë kryengritës që kanë mbetur të vrarë.

Top Channel