
Miroslav Lajçak ishte në Tiranë për të përsëritur veten. Shenjë kjo që asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e Tiranës që prej vizitës së tij të fundit. (UPDATE)
Këtë e pranoi edhe vetë, por bëri kujdes të theksojë se me këtë vizitë të re, deshi t’u kujtojë aktorëve politikë shqiptarë, pritshmëritë e Bashkimit Europian.
“Ajo që kërkohet është kjo: mbështetja e hetimit gjithëpërfshirës dhe të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit, që duhet të kryhen në mënyrë të shpejtë dhe të plotë për të vënë përpara drejtësisë të gjitha shkeljet penale të kryera në këtë datë. Dhe do të vlerësohej shumë nëqoftë se komisioni hetimor parlamentar i cili është ngritur posacërisht për të hetuar mbi ngjarjet e 21 janarit, gjetjet e tij t’ia dërgonte prokurorisë së përgjithshme. Përsa i përket aspektit të demokracisë, do të donim shumë që të shikonim zbatimin e praktikave më të mira në organizimin dhe përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 8 majit”, është shprehur Lajçak.
Një takim i gjatë i zotit Lajçak ishte ai me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, partia e të cilit ka ngritur shqetësimin e manipulimit të zgjedhjeve. Pyetjes nëse iu kërkuan garanci për transparencën paszgjedhore apo u dha ai garanci të tilla, i dërguari i Bashkimit Europian u përgjigj:
“Ky është vendi juaj, ky është sistemi juaj zgjedhor, këto janë partitë tuaja politike, që janë përgjegjës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet vendore apo për zgjedhje të tjera, padyshim politikanët janë të interesur për rezultatin përfundimtare të tyre. Por për ne, komunitetin ndërkombëtar është e rëndësishme që proçesi zgjedhor të jetë transparent, demokratik, i lirë dhe i ndershëm. Dhe kjo mund të arrihet vetëm me pjesmarrjen e të gjithë faktorëve të rëndësishëm politikë. Në të njëjtën kohë është e qartë se në të gjithë vendet është përgjegjësi e qeverisë që organizojë zgjedhje që arrijnë standardet për të qenë të lira dhe të ndershme. Kur lexoni rekomandimet e ODIHR-it pas zgjedhjeve zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, ka dispozita të qarta që kanë të bëjnë me përmirësime për KQZ-në, me qeverinë dhe me partitë politike. Një pjesë e këtyre ndryshimeve kanë të bëjnë më ndryshimin e kodit zgjedhor, por ka edhe shumë dispozita të tjera që jo domosdoshmërisht lidhen me ndryshimin e kodit, dhe këto rekomandime lidhen me mënyrën të kryerit të zgjedhjeve apo praktikën zgjedhore. Ne duam të shohim që raportimet në fund të këtyre zgjedhjeve do të ishin më të mira sesa ato të zgjedhjeve të përgjithshme. Ka ende kohë dhe shumë gjëra mund të bëhen nga ato që ka identifikuar ODIHR-i pas zgjedhjeve të fundit. Dhe një nga qëllimet e misionit tim është të nxis politikanët që të angazhohen në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Dhe ka ende kohë”, tha Lajçak.
Zoti Lajçak foli edhe për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidit.
Sipas tij, spikasin 2 kërkesa urgjente, përmirësimi i rregullores së Kuvendit mbi bazën e praktikave më të mira parlamentare dhe së dyti zgjedhja sa më shpejtë e avokatit të popullit, një proçes sipas zotit Lajçak, i vonuar.
Top Channel