Libia, SHBA: Do zgjerojmë ‘no fly-zone’

21/03/2011 19:00

“Operacioni deri tani ka rezultuar i suksesshëm. Ai është kryer duke bërë shumë kujdes për të shmangur viktimat civile. Avancimi i forcave të Gaddafi-t është ndalur”.

Deklarata është bërë nga gjenerali amerikan Carter Ham, komandant i Komandës US-Africa, i cili ka saktësuar se operacionet synojnë zgjerimin e zonës së ndalim-fluturimit në 1 mijë kilometra.

Komandanti ka deklaruar se nuk është në dijeni të vendndodhjes së kolonel Gaddafi-t dhe ka rikonfirmuar se SHBA nuk do të fusin në Libi forca tokësore.

Lidhur me konfliktin ka reaguar edhe presidenti rus Dmitri Medvedev, i cili ka deklaruar se, Rusia është gati të negociojë mes Perëndimit dhe Libisë.

Kreu i Kremlinit ka ritheksuar qëndrimin e tij pro rezolutës së OKB-së, duke vlerësuar se, “ajo është e drejtë pasi reflekton shqetësimin tonë ndaj ngjarjes”.

Medvedev ka kritikuar edhe përdorimin e fjalës “Kryqëzatë” nga kryeministri rus Vladimir Putin. “Në asnjë rast nuk mund të përdoren shprehje që në thelb cojnë në konflikte mes qytetërimeve”, ka pohuar Medvedev.

Ndërkohë, Norvegjia ka ndërprerë pjesëmarrjen e saj në operacionet ushtarake në Libi derisa të sqarohet cështja e komandës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri norvegjez i Mbrojtjes, Grete Faremo. Gjashtë avionët “F16” të dërguar në Qipro nuk kanë pasur urdhër për të marrë pjesë në operacionet e koalicionit.

“Angazhimi i tyre varet nga një sistem i ri i komandës, operacion që do të kërkojë disa ditë”, ka sqaruar ministri.

Top Channel