IAEA: Japonia do t’a kalojë krizën

21/03/2011 17:05

Situata në centralin bërthamor japonez është shumë serioze, por drejtori i përgjithshëm i Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), Yukiya Amano, u shpreh i sigurt se vendi do të dijë të kalojë këtë krizë.

Sipas Zotit Amano, situata në Fukushima po përmirësohet gradualisht dhe kjo falë përpjekjeve kolosale të punëtorëve dhe Tokios zyrtare, të cilat “kanë bërë që më e keqja tashmë të evitohet”.

Që pas tërmetit të datës 11 mars, punëtorët në Fukushima kanë punuar pa pushim për të sjellë situatën nën kontroll, ndonëse ishin të vetëdijshëm që shumë prej tyre mund të mos i mbijetojnë rrezatimeve të marra në vendngjarje.

Pavarësisht stabilizimit të situatës dhe rikthimit të energjisë në sistemin ftohës të tre reaktorëve, rrezatimet vazhdojnë të përhapen, por autoritetet theksojnë se ato nuk janë aq të mëdha sa të dëmtojnë shëndetin e njeriut, jashtë perimetrit të caktuar të sigurisë.

Japonia u godit dhjetë ditë më parë nga një tërmet me magnitudë 9 të shkallës rihter, më i forti i regjistruar ndonjëherë në këtë vend. Bilanci aktual i tragjedisë është rritur në 8 450 të vdekur dhe 13 mijë të humbur.

Top Channel