Energjia bërhamore përçan Francë-Gjermani

21/03/2011 20:20

Çështja e energjisë bërthamore ka ndarë dy superfuqitë e Bashkimit Europian, Francën dhe Gjermaninë.

Rreziku i kësaj forme energjie është vendosur në krye të rendit të ditës, pas rrezatimeve që po përhapen nga reaktorët e dëmtuar të Fukushimës.

Ministri Francez i Energjisë, Eric Besson, deklaroi se “është pjesë e bindjes së tij të fortë që energjia bërthamore duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe të shndërrohet në një prej mënyrave kryesore të plotësimit të nevojave energjitike të shekullit XXI”.

Franca është një prej vendeve më të varur në botë nga centralet atomike. Nga 58 reaktorë të përhapur në të gjithë vendin sigurohet më shumë se 80% e nevojave energjitike.

Një javë më parë, Gjermania lajmëroi për mbylljen e gjashtë reaktorëve të vjetëruar, ndërsa Kryeministrja Merkel deklaroi se kësaj forme të energjisë po i vjen fundi dhe se e ardhmja do të jetë energjia e rinovueshme.

”Është e rëndësishme të vlerësohen rreziqet, përmbytjet, tërmetet. Mosha e reaktorëve nuk duhet të jetë në vetvete një kriter, pasi nuk ka asnjë kuptim”, deklaroi Besson sot, duke u pozicionuar kundër deklaratave të Berlinit.

Një raport i “Greenpeace” bëri të ditur se në Europë janë 48 reaktorët që vazhdojnë funksionimit përtej kriterit 30-vjeçar të përdorimit, ndërsa 16 prej tyre ndodhen në Francë.

Top Channel