Listat, PS: Po blihen votat

20/03/2011 15:45

Partia Socialiste akuzoi Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha se po lejon ndryshimet në listat e zgjedhësve, edhe pse afati për përditësimin e tyre ka skaduar më 8 mars.

Partia Socialiste tha se skema që po përdoret, ka për qëllim blerjen e votës.

“Përmes kontratave fiktive të qirasë po shpërngulen banorë nga komuna dhe qytete të tjera dhe vazhdojnë të bëhen banorë të Tiranës, me pasojë votues në zgjedhjet e 8 majit në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor. Kjo është një tentativë e pastër e blerjes së votës. Për të ndaluar këtë proces anti-ligjor bëri thirrje Ambasadori i OSBE-së, por asgjë nuk ka ndryshuar.  Blerja e votës vazhdon pasi asgjë nuk e ndalon Lulzim Bashën dhe ministrat e tjerë të detyrojnë edhe punonjësit e administratës publike për t’u bërë me pahir votues të Tiranës në shkelje të plotë të ligjit. Ata që vodhën votën në 2009-n, e vranë për të vijuar të vjedhin, po pregatisin me të gjitha mënyrat manipulimin dhe vjedhjen e zgjedhjeve të 8 majit”, deklaroi kryetarja e Njësisë Bashkiake nr.1 në Tiranë, Lindita Nikolla.

Partia Socialiste paralajmëroi një protestë para Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, derisa të marrë përgjigje për shqetësimet e saj për listat e zgjedhësve.

“Nga dita e hënë ne do të protestojmë pranë DPAGJC në pritje të përgjigjes ndaj kërkesës sonë ligjore për të mundësuar listën e përditësuar të votuesve deri më datë 8 mars si dhe marrjen e masave për të mos lejuar që ndryshimet e bëra pas kësaj date në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile si pasojë e transferimeve të bëra, të pasqyrohet në listën përfundimtare të zgjedhësve”, tha Nikolla.

Top Channel