Libia, Papa apelon: Ndihmoni civilët

20/03/2011 19:10

Papa Benedikti i XVI u lëshoi liderëve ushtarakë e atyre politikë një apel që të mbajnë parasysh sigurinë e civilëve libianë e të kujdesen që  atyre t`u mbërrijnë ndihmat e emergjencës.

Në komentet e tij të para mbi ndërhyrjen ushtarake në Libi, Ati i Shenjtë nuk specifikoi se cilëve liderë u referoheshin saktësisht thirrjet e bëra gjatë meshës tradicionale të së dieles. Por fakti që Benedikti nuk kërkoi fundin e sulmeve ajrore të aleatëve mbi Libi, konsiderohet mjaft domethënës.

Dy javë më parë, Papa shprehu keqardhjen e tij të thellë për vdekjet e civilëve dhe krizën humanitare që shkaktuan në vend luftimet mes besnikëve të Gëdafit dhe rebelëve anti-qeveritarë.

Vatikani kishte heshtur që atëherë, dhe sidomos pasi Kombet e Bashkuara autorizuan përdorimin e forcës për të ndaluar shtypjen e dhunshme të kryengritjes në Libi.

Rusia dhe Kina janë shprehur sakaq kundër sulmeve dhe u distancuan nga misioni ushtarak, por në të njëjtën kohë i bënë thirrje Tripolit të nisë sa më parë një dialog me bashkësinë ndërkombëtare.

Top Channel