Greqia: Ndihmojmë me baza

20/03/2011 15:15

Greqia ndodhet në gatishmëri të plotë për të lehtësuar Aleancën Euroatlantike në operacionet ushtarake në Libi, nëse do të jetë e nevojshme.

Qeveria greke ka deklaruar se për momentin nuk do të marrë pjesë me avionë ushtarakë të tipit F-16, por do të jetë pjesë aktive e aksioneve të shpëtimit dhe të vëzhgimit.

Athina disponon në këtë fazë dy helikopterë shpëtimi Superpuma, një radar fluturues, ndërsa fregata “Idra” ndodhet në ujërat detare midis Kretës dhe Libisë.

Dje nga samiti i Parisit kryeministri grek Papandreu ka deklaruar para gazetarëve se forcat aleate nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë vrasjen e qytetarëve të pafajshëm në Libi.

“Jemi sot në këtë samit për të treguar vendosmërinë e mbarë botës, të komunitetit ndërkombëtar dhe të Kombeve të Bashkuara, por edhe për të thënë gjithashtu së bashku me liderët e Ligës Arabe që të ndalojmë njëherë e përgjithmonë dhunën që ka trashëguar regjimi i Libisë dhe që të jemi të sigurtë për vendosjen e armëpushimit në vend”, tha Papandreu për mediat ndërkombëtare.

Ndërkohë në bazën ushtarake të Kretës ndodhen dy anije amerikane cisternë me karburante për avionët luftarakë, një avion zbulues dhe pritet një nëndetëse bërthamore.

Për më tepër, Franca ka kërkuar leje për mbërritjen në këtë bazë të 6 avionëve të tipit Mirage nga Katari.

Por edhe në bazën ushtarake të Araksos në Peloponez janë në gatishmëri 8 avionë luftarakë belgë të tipit F-16, ndërsa baza e NATO-s në Aktio, afër Prevezës, me pistën e tretë më të madhe të fluturimeve në Greqi, do përdoret nga avionët radarë të NATO-s.

Top Channel