Libia, Italia u ofron bazat aleatëve

19/03/2011 19:40

Për momentin Italia do të vendosë vetëm bazat në dispozicion të avionëve të aleatëve dhe do të kujdeset për koordinimin e operacioneve në Napoli.

Kështu ka deklaruar kryeministri italian Silvio Berlusconi, pas samitit ndërkombëtar të zhvilluar në Paris, ku iu dha drita jeshile sulmeve në Libi.

Megjithatë, kreu i pallatit Kixhi ka shprehur shpresën e tij që lideri libik Muammar Gaddafi të mendohet sërish dhe të heqë dorë nga dhuna.

Kryeministri italian ka shtuar më tej se vendi i tij do të jetë i gatshëm në bazë të nevojave për të ndërhyrë në mënyrë direkte në Libi.

Ndërkohë, në Itali avionë luftarakë të tipit “Tornado” janë vendosur në bazën ushtararke të qytetit të Trapanit, në Sicili, në gatishmëri për të ndërhyrë në Libi.

Në të njëjtën bazë kanë mbërritur edhe avionë-radarë të NATO-s, ndërsa danezë të tipit “F-16” janë vendosur në bazën ajrore të Sinelës, në Katania.

Më herët presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano vlerësoi marrëveshjen e arritur në Paris dhe qëndrimin që ka marrë Italia lidhur me cështjen e Libisë.

Top Channel