Gjermania, gati notë proteste Shqipërisë

19/03/2011 11:25

Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare i druhen një note proteste të shtetit gjerman drejtuar vendit tonë për lirimin e 44-vjeçarit Abdulselam Turgut nga Gjykata e Apelit Tiranë.

Në rrugë jozyrtare, reagimi i autoriteteve gjermane ka qenë mjaft shqetësues, ku rrezikohej bashkëpunimi në të ardhëm i drejtësisë shqiptare dhe asaj gjermane, ndërsa nuk përjashtohen as masat më të ashpra për këtë vendim skandaloz.

Burime nga akuza qendrore thanë se, kanë marrë kontakte jo në rrugë zyrtare me autoritetet e ambasadës dhe Prokurorisë gjermane, të cilët kanë qenë mjaft të shqetësuar për lirimin e këtij shtetasi, madje ata kanë paralajmëruar disa herë vendin tonë se shtetasi turk rrezikonte edhe lirimin në Shqipëri, pasi kishte lidhje dhe njohje në vendin tonë, madje edhe bashkëpunëtorë.

Megjithatë, çështja u mbajt “sekret” nga policia e prokuroria, me qëllimin e vetëm të bërjes së dokumenteve në kohë rekord për procedurën e ekstradimit. Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar sipas planit, pasi gjykatat kanë vendosur lirimin e tij, duke shtangur të gjitha shtetet që e kanë shpallur në kërkim, krahas Gjermanisë.

Në Prokurorinë shqiptare kanë mbërritur dhjetëra shqetësime dhe në ditët në vijim mund të mbërrijë edhe një notë proteste për këtë vendim skandaloz, i cili mund t’i adresohet qeverisë shqiptare, që ka nisur edhe kontrollet së bashku me KLD-në në Gjykatën e Apelit.

Megjithatë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se ky nuk është rasti i vetëm që shteti shqiptar shqetësohet për vendimet e gjyqësorit shqiptar.

Pak javë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dënuar tre shtetas gjermanë për akuzën e trafikut të narkotikëve, ndërsa për bashkëpunëtorin e tyre shqiptar është dhënë pafajësi.

Bëhet fjalë për ngarkesën prej 40 kilogramë heroinë, e cila është ngarkesa më e madhe e sekuestruar ndonjëherë në Shqipëri. Si për çudi, shqiptari në këtë dosje cilësohej edhe si kreu i grupit, ndërsa “pensionistët” gjermanë ishin korrierët.

Këta të fundit u dënuan secili me 10 vite burg, ndërsa shtetasi shqiptar u lirua menjëherë nga Gjykata e Lartë, e cila rrëzoi provat e prokurorisë, duke detyruar më vonë Gjykatën e Krimeve të Rënda ta shpallë të pafajshëm.

Top Channel