Aksidenti i 2009-s, Air France nën hetim

19/03/2011 00:50

Air France është vënë nën hetim për vrasje nga pakujdesia për aksidentin ajror të 2009-s kur 228 personat në bordin e një avioni të saj të nisur nga Rio de Janeiro drejt Parisit humbën jetën pas rrëzimit në ujërat e Oqeanit Atlantik.

Vendimin e mori një gjykatë në kryeqytetin francez një ditë pasi nën hetim u vu po për të njëjtën arsye edhe prodhuesi europian i avionëve Airbus.

Hetuesit po përpiqen të zbulojë shkaqet e rrëzimit të avionit gjatë një stuhie mbrëmjen e 31 majit të dy viteve më parë. Kutitë e zeza të avionit nuk u gjenden dhe arsyet e fatkeqësisë ende nuk janë zbardhur plotësisht.

Deri më tani, i vetmi shpjegim i aksidentit kanë qenë rezultatet e pasakta të përcjella nga sensorët e shpejtësisë.

Drejtori ekzekutiv i Air France, Pier Henri, Gourgeon tha pas paraqitjes në gjykatë se kompania do të kundërshtojë akuzat, që sipas tij janë të pabazuara.

Sipas hetuesve avioni kishte dërguar 24 mesazhe para se të zhdukej mbi Atlantik. Disa thonë gjithashtu se piloti automatik nuk ishte aktivizuar, por nuk mund të sqarojnë nëse nuk punonte apo nuk ishte ndezur fare, ndërsa meteorologët thanë se stuhia ishte e zakonshme për sezonin.

Javën e ardhshme do të nisë përpjekja e katër për rekuperimin e kutive të zeza që do të thotë zhytje në 4 mijë metra thellësi në ujërat e Atlantikut.

Top Channel