Japoni, progres i ngadaltë me reaktorët

18/03/2011 08:50

Punëtorët e skuadrave të shpëtimit po luftojnë për të ftohur dhe restauruar energjinë në reaktorët e Fukushimës, të dëmtuar nga tërmeti, por progresi është i ngadaltë.

Energjia nevojitet për të rindezur pompat, për të dërguar ujin e ftohtë në pjesët e nxehura të reaktorëve dhe për të shmangur rrjedhjen e mëtejshme të radioaktivitetit.

Një seri shpërthimesh janë regjistruar në ndërtesat e reaktorëve që prej tërmetit 9 ballësh të ditës së premte që tronditi Japoninë.

Mbi 16 mijë persona janë konfirmuar të vdekur ose të humbur, pas tsunamit të fuqishëm që pasoi lëkundjen sizmike.

Policia japoneze thotë se 6405 persona dihet që kanë vdekur, ndërkohë që 10 mijë e 200 të tjerë janë shpallur të humbur.

Por agjencia e lajmeve “Kyodo” raporton se shifra zyrtare bazohet tek emrat e regjistruar nga policia dhe se shifra e vërtetë mund të jetë disa dhjetëra mijëra.

Top Channel