Librazhd, përleshje për ujin

17/03/2011 13:40

Me dhjetra banorë të fshatit Gurshpat të Komunës Polis së Librazhdit kanë protestuar kundër ndërtimit të një hidrocentrali në këtë zonë.

Shkak i konfliktit ka qenë devijimi i projektit me 15 metra gjerësi, nga firma konçensionare duke dëmtuar dhe bërë të pafunksionueshëm kanalin vaditës të 300 familjeve.

Konflikti mes banorëve dhe investitorëve ka disa ditë që ka nisur, madje ka patur edhe dhunë fizike mes dy palëve. Nga dhuna e ushtruar kanë mbetur të plagosur edhe dy banorë të zonës.

Konflikti mes banorëve dhe investitorëve ka bërë që policia të gjendet në vendngjarje për shmangien e ndonjë tragjedie të mundshme.

Gjithashtu në vendngjarje ka qenë edhe ambulancë për të dhënë ndihmën e nevojshme për dy të plagosurit, të cilët kishin marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit.

300 familjet e zonës i tremben mungesës së ujit për vaditje nëse punimet e hidrocentralit vijojnë me projektin e ndryshuar.

Top Channel