Kina: Stop centraleve bërthamore

17/03/2011 12:55

Pas incidentit në kompleksin bërthamor Daiichi të Fukushimës, Kina vendosi të pezullojë aprovimin për ngritjen e disa stacioneve të reja nukleare, ndërsa kontrolle të shumta po kryhen mbi reaktorët ekzistues dhe ata në ndërtim.

“Kemi kryer një sërë kontrollesh. Të gjitha pajisjet nukleare funksionojnë më së miri dhe janë plotësisht të sigurta. Punime po kryhen vetëm në një nga pesë njësitë ekzistuese”, është shprehur Ren Jusheng, anëtar i Këshillit Kombetar kinez të Sigurisë Bërthamore.

Jehona e krizës bërthamore në Japoni ka qenë e madhe në Kinë, ashtu si dhe shqetësimet e përcjella prej saj.

Vendimi për ndalimin e përkohshëm të aprovimit të centraleve bërthamore erdhi në përfundim të një takimi të këshillit shtetëror kinez, apo kabinetit, të drejtuar nga kryeministri Ven Xhaiabao.

Projektet nukleare do të pezullohen momentalisht, përfshirë edhe ato ku puna ka nisur tashmë, derisa të miratohen rregullatorët e sigurisë bërthamore.

Siguria, thuhet në një deklaratë të këshillit, është prioriteti ynë numër absolut.

Nëse do të ndodhte edhe këtu një aksident si ai i Japonisë, pasojat do të ishin shumë më të rënda, për shkak se impiantet e reja janë të vendosura në zona me popullsi të dendur ndaj duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm.

Kina përfiton aktualisht 2% të energjisë elektrike nga fuqia bërthamore e 13 reaktorëve të saj.

Por vendi komunist kishte nisur një projekt ambicioz për rritjen drastike të këtyre shifrave dhe aktualisht, është duke ndërtuar më shumë reaktorë se çdo vend tjetër në botë, duke planifikuar 110 të tillë brenda disa vitesh.

Top Channel