Clinton: Bllokadë me bombardime ndaj Gaddafi-t

17/03/2011 20:50

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi gjatë pasdites se vendosja e një bllokade ndalim-fluturimi mbi Libinë do të bënte të nevojshme edhe bombardimin e objektivave ushtarakë, për të reduktuar fuqinë tokësore të ushtrisë së kolonel Gaddafi-t.

Ndërsa superfuqitë janë ende të pavendosura për atë që duhet të bëjnë në situatën gjithmonë e më të rëndë në vendin mesdhetar, Clinton theksoi se një “no-fly zone” do të ishte ekuivalent me deklarimin e një ndërhyrje ushtarake ndaj Libisë.

”Një zonë ndalim-fluturimi do të thotë që duhet të angazhohemi në luftime jo vetëm me avionët e ushtrisë libiane, por edhe me sistemet e tyre të mbrojtjes në tokë. Nuk mund të dërgojmë pilotët tanë atje lart që të rrëzohen në Libi nga raketat tokë-ajër”, deklaroi Clinton.

Duke folur nga vizita e saj në Tunizi, e para që prej rrëzimit të regjimit të Ben Alisë, Clinton theksoi edhe një herë më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura të mos ndërhyjnë të vetme, ndërsa presin një rezolutë të OKB-së për çështjen.

Megjithatë, ajo shtoi se “Gaddafi duhet të largohet dhe duhet t’a bëjë këtë menjëherë. Ai është një diktator i pashpirt dhe pa ndërgjeje, në gjendje të shkatërrojë gjithçka për të ruajtur pushtetin”.

Top Channel