B.Fildishtë, bombardohet kryeqyteti, viktima

17/03/2011 18:25

Një lagje në kryeqytetin e Bregut të Fildishtë, Abixhan, u godit disa orë më parë me artileri, duke shkaktuar dëme në masë dhe të paktën dhjetë të vdekur.

Siç informon BBC, besohet se sulmi është kryer nga mbështetësit e presidentit të jashtëligjshëm Laurent Gbagbo, pasi ajo zonë e kryeqytetit njihet për mbështetjen që i ka rivalit të tij politik, Alassane Ouattara.

Më shumë se 370 mijë banorë të Abixhanit kanë braktisur qytetin në muajt e fundit si rrjedhojë e luftimeve, ndërsa viktimat mund të jenë me mijëra, që prej fillimit të krizës politike në nëntor.

Gbagbo humbi zgjedhjet presidenciale, por refuzon të lëshojë pushtetin dhe ka nxjerrë ushtrinë në rrugë për të shtypur revoltat. OKB ka paralajmëruar mbi rrezikun e një krize humanitare në Bregun e Fildishtë.

Top Channel