Libi, sulm masiv tokësor ndaj qyteteve rebele

16/03/2011 15:15

Forca të shumta ushtarake po dynden në një sulm masiv tokësor, për të marrë në dorë Ajdabijën e mbrojtur nga rebelët.

Siç bënë të ditur BBC, pas disa ditëve të bombardimeve të qytetit lindor, forcat qeveritare po hyjnë në të me tanqe, artileri dhe armatime të tjera të rënda.

E njëjta situatë është regjistruar edhe në “fortesën” rebele të Bengazit, ku pas disa ditë bombardimesh, u regjistrua edhe atje sulmi i parë tokësor i ushtrisë së Gaddafi-t, sulm i zmbrapsur nga mbrojtësit.

Avancimi i trupave libiane vjen një ditë pasi në samitin e G8-s, nuk u arrit asnjë marrëveshje për vendosjen e një bllokade ndalim-fluturimi mbi vendin afrikan.

SHBA, Rusia, Kina dhe Gjermani kanë kundërshtuar këtë nismë franko-britanike, duke thënë se ajo do të përbënte hapin e parë të përfshirjes në një luftë.

Sipas korrespondentëve të mediave ndërkombëtare në vend, fati i luftimeve po kthehet gjithmonë e më shumë në anën e forcave qeveritare.

Ndërsa nuk dihet se sa mund të rezistojnë rebelët në zonën lindore të zotëruar prej tyre, ekzistojnë zëra se lufta mund të përfundojë brenda disa javësh me fitoren e forcave të Gaddafi-t.

Top Channel