Bahrein, tanke kundër protestuesve

16/03/2011 16:40

Forcat e sigurisë me tanke kanë kaluar në sheshin e qendrës së kryeqytetit të Bahreinit, Manama, ku protestuesit anti-qeveritarë kishin ngritur prej disa javësh cadrat e tyre.

Të paktën tre civilë raportohet të kenë mbetur të vrarë pasi policia qëlloi ndaj disa protestuesve, shumica e të cilëve shiitë.

Autoritetet kanë deklaruar se nga ana tjetër kanë humbur jetën edhe tre agjentë policie. Ndërkohë, trupat ushtarake kanë marrë nën kontroll një spital ku po kuroheshin të plagosurit.

Autoritetet lokale vendosën dje një shtetrrethim që do të zgjasë tre muaj, duke ndaluar mbajtjen e protestave. Drejtuesit sunitë të vendit kërkuan ndihmën e trupave ushtarake saudite për të ruajtur rendin.

Ndërkohë, ministri shiit i Shëndetësisë ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj përdorimit të forcës nga ana e policisë.

Bahreini është vendi i parë i gjirit që është goditur nga vala e protestave që muajin e kaluar përfshinë gjithë botën arabe.

Top Channel