Libi, luftime të dhunshme në Brega

15/03/2011 09:55

Luftime të dhunshme kanë vazhduar në Libi mes qeverisë dhe forcave rebele, që janë ende duke luftuar për qytetin naftëtar të Bregës.

Në një pikë, të dyja palët shpallën njëkohësisht kontrollin e qytetit.

Ndërkohë, një i dërguar i OKB-së ndodhet në vend, duke kërkuar dhënien fund të përgjigjeve të dhunshme ndaj protestuesve opozitarë dhe dhënien e lejes për futjen e ndihmave humanitare.

Në perëndim, forcat e qeverisë kanë depërtuar në qytetin e kontrolluar nga rebelët, Zuvara dhe po bombardojnë me artiljeri qytetin Misrata.

Por vëmendja është përqendruar në lindje, në Ajdabija, qyteti i fundit para bazës së rebelëve në Bengazi.

Duket se rebelët ishin fshehur brenda instalimeve të naftës në Brega, pasi besonin se qeveria nuk do të bombardonte impiantet.

Ndërkohë, burime pranë opozitës thonë se ka përcarje në radhët e pushtetit qendror, si dhe tek disa trupa ushtarake që refuzojnë të qëllojnë civilët.

 

Top Channel