Indi, korrupsioni cënon rritjen ekonomike

15/03/2011 15:45

Korrupsioni në Indi i kushton shtetit me miliarda dollarë çdo vit, ndërsa kërcënon rritjen ekonomike të vendit, bëri të ditur një studim.

Raporti i firmës së konsultimeve KMPG lajmëroi se problemi është bërë aq serioz, sa që investitorët e huaj po largohen vazhdimisht nga vendi.

Përfundimi u arrit duke pyetur 100 firmat më të mëdha vendase dhe të huaja që punojnë në shtetin e dytë më të populluar të botës.

Më parë gjatë muajit, drejtuesi më i lartë shtetëror i luftës kundër korrupsionit u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi Gjykata e Lartë gjeti prova të mjaftueshme për t’a akuzuar për mitmarrje.

Në gjashtë muajt e fundit, disa skandale të mëdha korrupsioni kanë tronditur opinionin publik indian.

Midis këtyre skandaleve ishte edhe shpërdorimi i fondeve të Lojrave të Komonuelthit apo devijimi në xhepat e punonjësve të administratës të shpërblimeve për familjet që kanë humbur djemtë në luftë.

Top Channel