Arvizu: Tirana, shumë e rëndësishme

15/03/2011 16:00

Edhe ambasadori amerikan ka paralajmëruar debate të nxehta për Bashkinë e Tiranës.

Duke i konsideruar zgjedhjet e 8 majit si tepër të rëndësishme, ambasadori Arvizu deklaroi se Tirana është qendra e të gjitha debateve për Shqipërinë, ashtu siç SHBA-të kanë Uashingtonin.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se zgjedhjet e 8 majit janë tepër të rëndësishme. Politikat e nivelit lokal janë thelbësisht të rëndësishme për demokracinë, sigurisht për këtë gjë ka debate, të cilat mund t’i diskutojmë në një vend tjetër. Sigurisht Tirana është qendra e të gjitha debateve, është pak a shumë e ngjashme si në SHBA, që përgjithçka që ndodh sigurisht që përfshihet Uashingtoni dhe mendohet se ai është thelbi i debateve i të gjitha çështjeve të nxehta. E njëjta gjë ndodh edhe më Tiranën për Shqipërinë”, është shprehur Arvizu.

Ambasadori vlerësoi rolin e vullnetarëve të korpusit të paqes, 50 vjetori i të cilit ishte edhe tema e një seminari të zhvilluar në Ministrinë e Brendshme.

Ministri Basha e ka konsideruar ambasadorin Arvizu, si një misionar paqeje, për aktivitetin e tij pas ngjarjeve të 21 janarit.

“Fatkeqësisht edhe sot filozofia e paqes kundër filozofisë së dhunës në këtë vend është në rend të ditës. Paqja, pozitiviteti që ju sillni në qytetet tona ka qenë dhe është kurdoherë i mirëpritur. Ju jeni mishërimi i një misioni shumë të lartë që arrihet duke ju shërbyer njerëzve. Dua t’ju falenderoj me këtë rast edhe ju ambasador Arvizu, që si një nga misionarët e korpusit të paqes keni sjellë brenda një kohe shumë të shkurtër paqe dhe kthjelltësi në Shqipëri”, tha Basha.

Ambasadori parashikoi ditë të bukura dhe me diell, duke treguar diplomatikisht se edhe ai kishte respektuar vendosjen e verores në dorë si shenjë mbarësie.

Top Channel