3-vjetori i Gërdecit, në 17 protesta e PS

15/03/2011 14:00

Demonstrata e Partisë Socialiste do të nisë sot në orën 17, në fshatin Marqinet, në përkujtim të 26 viktimave që humbën jetën tre vjet më parë në punishten e demontimit të predhave në Gërdec.

Sipas organizatorëve, përballë demonstruesve do të flasin familjarë të viktimave dhe banorë, të cilët janë prekur drejtpërdrejtë nga tragjedia.

Nuk do të mungojnë edhe studentët, të cilët do të japin mesazhin e tyre në këtë organizim masiv.

Më pas fjalën do ta marrin përfaqësues të Partisë Socialiste, më së shumti deputetë të qarkut të Tiranës. Pas tyre dhe në përmbyllje te demonstratës do të flasë kryetari i PS, Edi Rama.

Në qendër të demonstratës do të jetë fakti se edhe sot, tre vjet pas kësaj tragjedie, nuk ka asnjë të dënuar dhe të gjithë të akuzuarit kryesorë si shkaktarë të ngjarjes janë liruar nga gjykata.

Cka, sipas socialistëve, është një goditje që i jepet jo vetëm familjeve që humbën njerëzit e tyre, por të gjithë shqiptarëve.

Top Channel