Kur askush nuk të pret

14/03/2011 16:35

Edhe pak muaj dhe do të jetë e lirë. Por edhe pse dënimi i saj do të marrë fund, pas këtyre dyerve 34-vjecaren nuk e pret asgjë dhe askush.

Vajza e saj 14 vjece jeton me babain e saj, i cili nuk pranon t’i hapë derën e shtëpisë, pasi i trembet edukatës që mund të marrë mbesa nga mamaja dhe njëkohësisht vajza e tij.

“Babai thotë, ‘derisa të martoj gocën s’ke shans në familje’. Gabimet e mija nuk falen. Nuk kam ku të qendroj, s’e di si do bëj”, thotë e burgosura.

U bë nënë vetëm kur ishte 20 vjec. Sapo vajza u bë një vjec, ajo u divorcua.

“Nja dy muaj kam vuajtur, flija në qoshet e pallatit, sa mora veten. Pastaj fillova punë dhe morra një shtëpi me qera, por pata një ftohje të mëshkrive ngaqë flija jashtë”, tregon e dënuara.

Por i njëjti fat e pret edhe më pas. Asgjë nuk ka ndryshuar, askush nuk e pret.

E sensibilizuar nga histori të ngjashme, zonja e parë Teuta Topi ka vizituar për herë të parë burgun ku vuajnë dënimin femrat. Ajo ka kërkuar që të mos braktisen nga familja dhe të mbështeten edhe nga shteti.

“Mbështetjen kryesore në radhë të parë ta gjeni tek familjet dhe pastaj do të doja shumë që këtë mbështetje ta gjeni tek mbarë shoqëria, pa asnjë lloj paragjykimi. Mua më takon të jem mbështetëse e juaja, sepse besoj se një grua nuk vret me zemër”, ka deklaruar zonja Topi.

Në këtë vizitë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadës amerikane, të cilët kanë mbështetur projektet e Organizatës së Grave Kristiane, për riintegrimin e grave të burgosura në shoqëri pas përfundimit të dënimit.

Top Channel