Ekstremi i djathtë francez: Mjaft me emigrantë

14/03/2011 19:40

Drejtuesja e Frontit Kombëtar Francez, partisë popullore të ekstremit të djathtë, lëshoi një deklaratë të fuqishme kundër emigracionit, në vizitën e saj në ishullin italian të Lampeduzës, ku 8 700 klandestinë afrikanoverirorë janë sistemuar.

Ndërsa një grup protestuesish e cilësuan si raciste, vajza 42-vjeçare e liderit historik francez të krahut të djathtë, Jean-Marie le Pen, theksoi se Europa nuk është më në gjendje të përthithë emigrantë dhe sugjeroi kthimin e anijeve të tyre në det, pa iu afruar brigjeve europiane.

”Europa shikon e pafuqishme dhe pa ndonjë ide se si mund të zgjidhë këtë situatë”, deklaroi Le Pen. “Është e domosdoshme që të patrullojmë sa më pranë brigjeve ku anijet nisen dhe t’i dërgojmë ato sërish mbrapsht.

Klandesinët në Europë vetëm sa po i shtojnë varfërisë varfëri dhe krimit më shumë krim. Proporcionet e emigrantëve me të cilat po përballet Italia po bëhen të papërballueshme. Ne po përjetojmë një katastrofë të vërtetë”.

Roma zyrtare i ka bërë thirrje Bashkimit Europian për ndihmë për të përballuar situatën e vështirë, me mijëra klandestinë që kanë zbarkuar në brigjet e vendit, pas trazirave të ndodhura në vendet e Afrikës së Veriut.

Deklaratave të Le Pen i janë bashkuar së fundmi edhe zërat e shumë liderave ekstremistë europianë, ndërsa lëvizjet e tyre po bëhen gjithmonë e më popullore në Europën e bashkuar.

Top Channel