Centralet, Japonia i kërkon ndihmë SHBA

14/03/2011 22:00

Japonia u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara ndihmë për të kontribuar në ftohjen e centraleve bërthamore të dëmtuara nga tërmeti.

Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet kompetente amerikane, sipas të cilave Enti Rregullator për Energjinë Bërthamore po shqyrton përgjigjet që duhet t’i kthejë Tokios, mes të cilave përfshihet një konsulencë teknike.

Pak më parë, presidenti amerikan Barack Obama ritheksoi se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithcka që munden për të ndihmuar Japoninë.

Ndërsa nga BE, komisioneri për Energjinë, Guenther Oetinger ka kërkuar mbledhjen e vendeve anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Ndërkohë, lidhur me situatën katastrofike në të cilën ndodhet Japonia pas tërmeteve dhe tsunamit ka reaguar edhe organizata Save the Children.

“Janë të paktën 70 mijë fëmijë të pastrehë. Shumë prej tyre kanë humbur shtëpitë dhe janë detyruar të strehohen në vende të pasigurta”, deklaron organizata.

Për më tepër, shton ajo, ekziston rreziku që një numër i konsiderueshëm fëmijësh të kenë mbetur të ndarë nga prindërit e tyre.

Top Channel