Jemen, policia sulmon protestuesit, viktima

12/03/2011 08:45

Policia në Jemen sulmoi mëngjesin e sotëm një kamp të demonstruesve anti-qeveritar në qendër të kryeqytetit Sana’a, ndërsa të paktën një person është konfirmuar i vdekur.

Duke ndjekur shembullin e egjiptianëve, disa qindra jemenas flinin në tenda që prej disa javësh përpara institucioneve në kryeqytet.

Policia vendosi të prishte këto vendbanime të improvizuara dhe u përlesh me të strehurit në çadra, në një betejë ku me qindra raportohen të plagosur, raportoi “Associated Press”.

Përplasjet erdhën pasi Uashingtoni i kërkoi dje grupeve të opozitës që të bisedonin me presidentin Ali Abdullah Saleh, një aleat i rëndësishëm në luftën ndaj Al-Kaedës.

Javët e protestave ndaj dominimit 32-vjeçar të vendit prej Saleh kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 30 personave.

Top Channel