Japoni, numri i vdekjeve rreth 1700

12/03/2011 13:20

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti katastrofik i së premtes në Japoni janë bërë edhe më të mëdha ditën e sotme, të kombinuara me numrin e viktimave, që përfshirë personat të panumëruar, dyshohet të ketë arritur në 1700.

Ndërkohë, një shpërthim ndodhi sot në një reaktor atomik në ndërtesën e Centralit Elektrik të Tokios, në Fukushima 1, duke plagosur katër punëtorë.

Të plagosurit janë në gjendje të ndërgjegjshme dhe plagët e marra nuk përbëjnë kërcënim për jetët e tyre, bën të ditur agjencia e lajmeve “Kyodo News”.

Ndërkohë, Agjencia për Kontrollin e Zjarreve dhe Katastrofave ka nisur nga Tokio një skuadër speciale që do të cojë mjete për ftohjen e impianteve atomike.

Materialet radioaktive, cezium dhe jod, janë konstatuar tek reaktori numër 1 i centralit, sqaron Agjencia për Sigurinë Bërthamore dhe Industriale.

Numri i vdekjeve u rrit me 600 viktima, bëjnë të ditur burime policore, pas zbulimit dhe transferimit të 200 deri në 300 trupave të tjerë në Sendai, në prefekturën e Mijagit.

Raportohet gjithashtu se rreth 200 trupa të tjerë janë transferuar në gjimnazet në Iuanuma dhe Natori, që ndodhen po ashtu në prefekturën e Mijagit.

Ndërkohë, rreth 650 persona rezultojnë të zhdukur që pas tërmetit të djeshëm 8.8 ballë, më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë në Japoni.

Top Channel